Çfarë fshihet në nëntokën e Rrajcës?

Gërmimet e vetme arkeologjike të viteve "80 në zonën e Rrajcës dhe përkatësisht në fushën e Marajt (megjithëse ishin të pakta) nxorrën në dritë disa të dhëna shumë të rëndësishme historike dhe arkeologjike të periudhës së Neolitit të hershëm.

KUR TEKNOLOGJIA MODERNE PERPUTHET ME PERVOJEN E ARKEOLOGEVE EKSPERT TE VITEVE '80
         Shkrim i marrë nga faqja Albanian Archaeology

   Rezultatet e analizave të radiokarbonit të kryera në material kockor nga vendbanimet e neolitit të hershëm të Rajcës dhe Podgorisë, na ofrojnë datime të kronologjisë absolute të këtyre dy siteve. Ndërsa për Podgorinë kemi datime absolute edhe nga mostra karbonike (Allen, Gjipali, 2013), në rastin e Rajcës analiza e kryer në kampionin e kockës përbën datimin e parë absolut. Rezultatet e marra nga matjet tregojnë se dy mostrat kishin kolagjen të mjaftueshëm për të kryer matje të C14. Kështu kampioni i Rajcës dha datimin 5791-5291 vite para Kr., ndërsa mostra e Podgorisë datimin 6216-5616 vite para Kr. Duke ju referuar kurbës grafike të datimeve të tyre të kalibruara, për Rajcën datimi duket se lëviz në kufijtë e 5650-5450 B. C., ndërsa për Podgorinë 6000-5700 B. C. 


   Datimet karbonike të vendbanimit të Podgorisë me kampione të marrë nga sonda në disa pika të tij në 2006 nga Projekti SANAP, luhaten brenda këtyre vlerave gjë që e bën më të qëndrueshme përkatësinë kronologjike të vendbanimit të Podgorisë në fund të mijëvjeçarit të VII -fillimin e mijëvjeçarit të VI B. C.     Për sa i përket vendbanimit të Rajcës, ajo rezulton se i përket një periudhe më të vonë rreth mesit të mijëvjeçarit të VI B. C. Parë në kontekstin e analizave të bëra për kulturën materiale të vendbanimeve të referuara dhe të vlerësimeve kulturore e kronologjike të kryera nga autorët e gërmimit të realizuar në vitet ‘ 80’ të të shekullit të kaluar, këto të dhëna duket se përkojnë plotësisht me ato që u përfituan nga datimet absolute. 
   Në vlerësimin kulturor e kronologjik të vendbanimeve të hershme neolitike, Prendi e inkuadron Podgorien në grupin e vendbanimeve të fazës së vonë të neolitit të hershëm të Shqipërisë, me lidhje të ngushta kulturore me vendbanime të varianteve kryesore neolitike brenda e jashtë territorit të Shqipërisë “ si një kulturë me një zhvillim relativisht të lartë, por në të njëjtën kohë, me sa duket, me fillim diçka më vonë në krahasim me grupet fqinje të neolitit të hershëm të Maqedonisë egjeane (Nea Nikomedia) dhe të asaj jugosllave Anzabegovo-Vrshnik I)” 27 Datimi me C14 në të dy rastet (me kampione thëngjilli dhe kocke) konfirmon plotësisht këtë pozicion kronologjik. 
   Në rastin e vendbanimit të hershëm neolitik të Rajcës ai është vlerësuar si vendbanim që “ përbëhet nga dy shtresa kulturore që përfaqësojnë faza të periudhës së neolitit të hershëm. Tiparet e tij e vendosin atë në një fazë të zhvilluar dhe fundore të Neolitit të Hershëm të zonës lindore” 28 me tendencë të shtresës së dytë kulturore drejt fillesave të neolitit të mesëm. Kjo do të thotë se Rajca përfaqëson një fazë finale të neolitit të hershëm dhe tashmë kjo fazë na jepet e shprehur në vlera absolute (nga analiza e C14 ) në kufijtë kohorë të 5650-5450 B. C. 
   Përputhja e plotë e rezultateve të datimeve relative me datimet absolute në të dy rastet, e qartëson më tej renditjen kronologjike të vendbanimeve të neolitit të hershëm të Shqipërisë Juglindore (ku përfshihet zona e Korçës, Pogradecit dhe Librazhdit). Datime të reja me C14 për vendbanimet neolitike të Rajcës dhe Podgorisë
Credit : Iris Bakiu & Ilir Gjipali

No comments: