Kushdo që ka njohur dhe dëgjuar për fshatin Rrajcë të rrethit të Librazhdit, patjetër që ka dëgjuar edhe për valltarët virtuozë të këtij fshati, aq të përmendur në të gjithë Shqipërinë. Është vërtetë një çudi, është ndoshta rasti më i rrallë edhe në botë, që të ketë në një fshat si Rrajca, ku vallja kërcehet në çdo shtëpi e në çdo vatër, që nga më i vogli dhe deri tek më plaku 80, 90 apo 100 vjeçar.
Deri në mesin e viteve ’50 të shekullit të kaluar, vallet në Rrajcë kërceheshin nëpër ceremoniale fetare dhe festa të ndryshme familjare si fejesa, dasma etj. Për herë të parë rrajcarët u organizuan si grupe në vitin 1949, në një aktivitet (festival) kombëtar, ku mori pjesë dhe Rrajca, e cila fitoi dhe Çmimin e Parë.
Në një mjedis të tillë u lind Artisti i Merituar Sadi Halili më 20.06.1944, në fshatin Sutaj (Komuna Rrajcë) në rrethin e Librazhdit.
Që në vitin 1952, kur Sadi
Halili ishte vetëm tetë vjeç, ka marrë pjesë për herë të parë në një Festival Folklorik Kombëtar, që u zhvillua në qytetin e Pogradecit. Viruoziteti dhe shkathtësia e djaloshit të ri ranë menjëherë në sytë e të pranishmëve. Që nga ajo kohë Sadiu nuk iu nda më valles dhe aktiviteteve artistike në shkallë lokale dhe kombëtare.
Në vitin 1962 mori të drejtën e studimit për në Tiranë.. Por në vitin e dytë të shkollës i vjen letra për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilin e kreu në Shkodër. Menjëherë pas ushtrisë fillon punë si drejtues në Vatrën e kulturës në fshat. Në vitet 1968 - 1969 punon si instruktor në komunitetin e rinisë së rrethit të Librazhdit. Meqë në Librazhdi nuk kishte specialistë për kulturën dhe folklorin, Sadiun e caktojnë si drejtues i grupit folklorik të rrethit. Në vitin 1969, në Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, Rrethi i Librazhdit u nderua me Çmim të Dytë. Këtu merr drejtim puna e tij si drejtues dhe specialist i folklorit.
Në vitin 1972 Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore në Tiranë, organizoi kursin 1-vjeçar për koreografi në Tiranë. Sadi Hali mori pjesë në këtë kurs ku dhanë mësim profesorët më të mirë shqiptarë si Panajot Kanaçi, Agron Aliaj, Gëzim Kaceli, Skënder Selimi, Nexhat Agolli, Ramazan Bogdani e të tjerë.
Sadi Halili është themeluesi dhe drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore të Librazhdit, Në nëntorin e vitit 1969 ky ansambël mori pjesë në takimin e Ansambleve të Shtëpive të Kulturës në Vlorë. Aty për herë të parë Sadi Halili prezantohet edhe si krijues (koreograf) me dy valle. “Valle e Elektrifikimit”, që u vlerësua me Çmimin e Parë dhe një valle me motive të Rrajcës. “Vallja e Elektrifikimit” u zgjodh në Koncertin Qeveritar.
Ky Ansambël ka pasur vazhdimësi, duke u freskuar gjithmonë me elemente të rinj dhe ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare. Suksesin më të madh, Ansambli i Librazhdit e pati në vitin 1981, në takimin e Ansambleve të organizuar në Tiranë, ku mori dhe Flamurin e Festivalit.
Në vitin 1988 Ansambli i Shtëpisë së Kulturës i rrethit të Librazhdit, për herë të parë të historisë së tij, përfaqësoi Shqipërinë jashtë trevave të saj, në Festivalin Selçuk të Marmarasë, në Stamboll (Turqi), si dhe në Festivalin Ballkanik të Ohrit (Jugosllavi).
Ansambli i Librazhdit që nga viti 1990 deri në vitin 1997pati një periudhë pushimi, ku u bë një rikrijim i Ansamblit me elemente të rinj, duke luajtur krijimtarinë në vite.
Në periudhën 1995-1997 Sadi Halili ka dhënë ndihmesën e tij në themelimin e Shoqatave Kulturore Artistike të shqiptarëve të Maqedonisë “Sazet e Frëngovës” dhe “Dollia” të Strugës, si dhe të Dollogozhdës, të cilat kanë qenë të sukseshme në të gjitha konkurimet. Kjo u realizua në Festivalin “Sharri Këndon” në Tetovë, njëkohësisht edhe në Festivalin “Këngë Jeho”, që zhvillohet në Strugë, ku Shoqata Kulturore Artistike “Sazet e Frëngovës”, ku Sadiu ka punuar rreth tre vjet, u nderua me Çmimin e Festivalit. Këto grupe janë nderuar me Çmime të Para dhe të Dyta dhe sidomos grupi “Sazet e Frëngovës”.
Po në këtë vit (1997), Ansambli i Qendrës Kulturore të qytetit të Librazhdit, mori pjesë në një Festival të Qytetit Shanliurfa (Turqi).
Gjatë vitit 1998 Sadiu ka bërë përpjekje të mëdha për rritjen sasiore dhe cilësore të aktiviteteve kulturore, duke bërë të mundur ngritjen e pesë grupeve të valleve me moshë nga tetë deri në tridhjetë vjeç, ku marrin pjesë rreth 100 valltarë.
Në vitin 1998, nga datat 24 - 25 prill, u realizua koncerti recital i koreografit Sadi Hali “Jetë në valle”, me të katër grupet e valltarëve. Po në vitin 1998, “Vallja e Vajzave”, krijuar nga S. Halili me motive nga Dragostunja, nderohet me Çmimin e Parë, tek aktiviteti kulturor “Maratona”, që u zhvillua në shkallë Prefekture në qytetin e Elbasanit.
Më 6 maj 1988 grupi i fëmijëve, ishte i ftuar nderi në Festivalin europian të fëmijëve në Tiranë.
Në Qershor të vitit 1988 Sadi Halili drejtoi themelimin e Ansamblit Artistik të Këngëve dhe Valleve Popullore “Rrajca”. Në promovimin e krijimit të Shoqatës Kulturore Artistike “Rrajca”, në tetor të vitit 1988, nga treqind e tetëdhjetë anëtarët zgjidhet kryetar i kësaj Shoqate. Po në këtë vit (1988) ky Ansambël mori pjesë në Festivalin Botëror të 37 në Qytetin Bursa të Turqisë (7 deri në datën 12 korrik), si dhe në Festivalin e Katërt të Paqes në Stamboll (Turqi).
Në periudhën 5 – 10 gusht Ansambli “Rrajca”, mori pjesë në Festivalin mbarëkombëtar të Strugës.
Në vitin 1999 ansambli “Rrajca” mori pjesë në Festivalin e 44 Botëror të Agrigentos në Itali.
Në vitin 1999 (5 – 12 korrik) ky Ansambël mori pjesë në Festivalin e 38 në Bursë të Turqisë, ku u nderua me Çmimin IV, nga tridhjetë e gjashtë (36) pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Gjithashtu, në vitin 2000, Sadi Halili merr pjesë në Stafin realizues të festivalit “Këngë Jeho” në Strugë. Sadi Halili ka marrë pjesë me grupin artistik të Qendrës Kulturore të Librazhdit në festivale të shqiptarëve jashtë atdheut, në trojet e shqiptarëve të Maqedonisë, në Festivalin “Këngë Jeho” të Strugës.
Ansambli i Qendrës Kulturore të fëmijëve (Librazhd), e drejtuar nga koreografi Sadi Halili merr pjesë në Festivalin Ballkanik, organizuar në Shkup të Maqedonisë, në maj të vitit dymijë (2000), ku u nderua me Kupën e Festivalit.
Në vitin dymijë 2000, në Festivalin e kombëtar të Gjirokastrës, Sadi Halili ishte Drejtuesi artistik në rang Prefekture të Elbasanit. Gjithashtu, po në nëntor të vitit 2000, merr pjesë në “Odën Dibrane”, me Ansamblin e Qendrës Kulturore të qytetit të Librazhdit.
Nga datat 18 -19 qershor 2000 dhe datat 18 - 19 nëntor të vitit 2001, Sadiu organizoi dhe drejtoi Festivalin e “Valles dyshe të trashëguar në breza” të Shqipërisë verilindore, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të qytetit të Librazhdit.
Në vitin 2001 Sadiut i erdhën njëkohësisht dy ftesa për festivale folklorike nga Franca e Gjermania. Në këto koncerte Librazhdi u përfaqësua me dy grupe artistike. Në festivalin që u zhvillua në Çonçarneau të Francës, grupi i Librazhdit u nderua me Çmimin e Publikut, Grupi më i mirë dhe Grupi i Miqësisë.
Në vitin 2001 Sadi Halili organizoi dhe drejtovi për së dyti Festivalin e “Valles dyshe të trashëguar në breza”. Gjithashtu edhe në vitin 2002 u organizua për së treti here, në bashkëpunim me Qendrën Kulturor Librazhd, Festivali i “Valles dyshe të trashëguar në breza” edhe me një pjesëmarrje ndërkombëtare.
Në gusht të vitit 2002 Sadi Halili ka marrë pjesë si anëtar në Jurinë e Festivalit“Këngë Jeho” të Strugës.
Pavarësisht nga kushtet shëndetësore (ka prerë dy këmbët me operacion), Sadi Halili ka punuar në periudhën nga tetori deri në dhjetor 2002 me Shoqërinë Kulturore “Valët e Jugut” të Ohrit, ku ka vënë dy valle dhe ka organizuar dy koncerte: një për Festat e Nëntorit dhe një për fundvitin me këtë Shoqëri të Shqiptarëve të Maqedonisë.
Në në shkurt viti të vitit 2003 Ansambli i valleve “Rrajca” u ftua nga Festivali i Agrigento në Itali, për të marrë pjesë në Festivalin e 48, ku grupi rrajcar u nderua me Çmimin e Parë “Dante Aligeri” me motivin: “Për realizimin dhe organizimin më të mirë”.
Krahas punës së tij si krijues Sadi Halili është dalluar edhe si studiues dhe kërkues në terren. Sadiu ka marrë pjesë në të gjithë kërkimet (ekspedita) shkencore që Instituti i Kulturë Popullore në Akademinë e Shkencave që ka organizuar në rrethin e Librazhdit. Sadi Halili ka marrë pjesë si bashkëpunëtor dhe ka ndihmuar në të gjitha fushat në etnografi, koreografi, folklor, në fushën e muzikës etj. Në këto ekspedita Sadiu ka mbledhur një krijimtari të pasur folklorike, si balada, këngë trimërie, ninulla, këngë humoristike, fjalë të urta, lojra zbavitëse etj. Janë gjithsej rreth 750 tekste, të cilat Sadiu i ka përgatitur për botim në librin me titull “Folklori i Librazhdit”.
Krahina e Çermenikës, si një zonë shumë e pasur në krijimtarinë popullore, si në artin e kërcimit, muzikor, etnografik dhe gojor, ka qenë objekt i kërkimeve dhe i studimeve nga ana e Sadiut. Në librin e tij “Folklori i Librazhdit”, që pritet të dalë së shpejti nga botimi, krijimtaria çermenikase zë rreth 40% të këtij libri.
Që nga viti 1969 dhe deri në vitin 1988, Sadi Halili ka punuar në krahinën e Çermenikës për të mbledhur këtë folklor shumë të vyer, duke përfshirë këtu baladën “Brahim Keta i Ri”, që materialin e ka gjetur në fshatin Neshtë, këngë trimërie për “Myslim Alcanin”, “Këngë për Hysen Todën” dhe shumë këngë të tjera epike, si dhe këngën e “Selman Lleshit”, e cila flet për kohën e Tanzimatit, ku krahina e Çermenikës është dalluar si zonë e cila nuk paguante xhelepe (taksa). Veç këtyre në këtë zonë shquhen vallet virtuoze si “Martin’ja”, “Gurakuqja”, “Koçaxhikja”, “E lëshuara”, “Fusharja” dhe të tjera, të cilat janë përzgjedhur nga Sadi Halili dhe janë përfaqësuar denjësisht në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare.
Orkestrina popullore e krahinës së Çermenikës, me instrumentistë virtuozë si: Shefki Balliu, Hekuran Kurti, Ismail Kurti, Rruzhdi Kurti, Xheladin Luka, Aqif Balliu etj.; këngëtarët Rrahman Balliu (me “Këngën e Librazhdit”), Sali Sufja, Lefteri Leka, Zenxhine Biba dhe të tjerë; vallëtarët Ferit Xhypi, Refik Mjeshtri, Xheladin Luka etj., kanë marrë pjesë në shumë Festivale folklorike Kombëtare dhe aktivitete të tjera të rendesishme lokale dhe kombëtare, duke u nderuar me çmime të shumta.
Jashte vemendjes së Sadi Halilit nuk kanë mbetur edhe kostumet popullore çermenikase, këngët, valet, meloditë etj., si krijime të njerëzve të paisur me ndjenja dhe ndjesi të holla.
Vallet suitë të Rrajcës, Çermenikës dhe Gollobordës, të përpunuara me aq mjeshtëri nga Artisti i Merituar Sadi Halili, janë mirëpritur dhe kanë pasur jehonë në të gjithë botën, nga Europa në Amerikë.
Vlerësimi i Punës
Përveç vlerësimeve me Diploma dhe Çertifikata të ndryshme në aktivitete brenda dhe jashtë vendit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor Artisti i Merituar Sadi Halili ka marrë edhe këto Dekorata.
Me Dekret Nr. 5201, Datë 10.09.1974, Urdhërin: „Naim Frashëri“, Klasi III;
Me Dekret Nr. 5889, Datë 04.05.1979 Urdhërin „Naim Frashëri“ klasi II
Me Dekret Nr. 7336, Datë 13.11.1989 Titullin “Artist i Merituar”
Me Vendim Nr. 10, Datë 01.02.2002 jepet Titulli “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Qytetit Librazhd. Text Select Disable